Kastriot Dermaku, përmes paraqitjeve me Kosencën në kampionatin italian të Serisë B, ka bërë shumë klube të vendosen prapa tij. Pak javë më parë, Bologna dhe Torino u përfolën si dy ekipet e interesuara për shërbimet e shtatlartit në verë, ndërsa tashmë del në skenë dhe një pistë tjetër, këtë radhë nga Turqia. Sipas ‘Fotospor.com’, gjigantët e Besiktasit po e ndjekin prej kohësh dhe e kanë përfshirë mbrojtësin 27-vjeçar në listën e objektivave për merkaton e verës. Shqiptari ka ndezur interesin e njërës prej 3 skuadrave më me emër në futbollin turk, pasi kanë hasur probleme në mbrojtje dhe do të kenë ndryshime për sezonin e ardhshëm. Disa prej titullarëve do të largohen për t’u zëvendësuar me të tjerë. Dhe kështu kanë nisur negociatat për ta afruar Demarkun në këtë merkato verore. 37 gola ka pësuar ekipi i Besiktasit këtë sezon duke qenë një nga skuadrat që ka pësuar më shumë.
Mbrojtësi i Kozencas në Serinë B shihet si lojtari i duhur për të zgjidhur problemet e prapavijës së kësaj skuadre. Beshiktash duket i fiksuar pas shqiptarëve përderisa në janar qendroi gjatë në gjurmët e Berat Gjimshitit, i cili si përfundim zgjodhi të mbetet në Serinë A me Atalantën.Kujtojmë që pak kohë më parë, mbrojtësi krijoi polemika në Shqipëri e Kosovë, duke qenë se fillimisht kishte zgjedhur të luante për fanellën e Kosovës, ndërkohë që me mungesën e minutave, ndryshoi mendje duke zgjedhur Shqipërinë. Faktikisht, ai ka zhvilluar dy ndeshje me Shqipërinë, por me ardhjen e Edi Rejas në pankinën kuqezi, 27-vjeçari që ka luajtur edhe me Empolin shpreson të ketë më tepër besim dhe përkrahje. Gjithsesi, nëse do të transferohej te Beshiktashi, për Dermakun do të ishte një hap i madh sa i takon karrierës së tij.