Jo vetëm i kërkuar nga disa klube për cilësitë e tij në mbrojtje, por tashmë edhe vendimtar përpara portës. Kastriot Demarku dha një tjetër sinjal pozitiv për të gjithë skuadrat e interesuara, kur me golin e tij të parë në Serinë B përballë Specias i dhuroi 3 pikë me vlerë Cosenzas, për të larguar hijet e rënies nga katergoria. Vetë mbrojtësi ka folur për mikrofonët e mediave italiane. Përveçse ka shprehur kënëaqësinë për realizimin e parë personal në këtë sezon, 27-vjeçari ka thënë hapur se tashmë pret një ftesë nga Kombëtarja e Edi Rejas, pasi Panucci e kishte lënë disi mënjanë: “Pas grumbullimeve të para e dija që do të kishte qenë e vështirë të vazhdoja të thirresha, sepse po ktheheshin të tjerë mbrojtës qendrorë. Gjithsesi, tani e pres ftesën nga trajneri Reja dhe do t’i përgjigjem me kënaqësi”, u shpreh Demarku, në lidhje me përfaqësuesen kuqezi.
Duke u kthyer te Kozenca, ai është dukur i kënaqur që objektivi i mbijetesës është gati i arritur, pasi synimi ishte të kaloheshin 40 pikët dhe skuadra ia doli mbanë kur mungojnë 3 javë nga fundi. Skuadra kalabreze gjendet në vendin e 12-të të renditjes së Serisë B, por vetëm 3 pikë larg zonës së ‘Play-off’-it që të dërgon në Serinë A. Ndeshjet e ardhshme kundër Beneventos, Venecias dhe Salernitanës do të jenë vendimtare për të luajtur shanset e mundshme, në tentativën për ngjitjen një kategori më lart.Ndërkohë, sa i takon të ardhmes së tij, Dermaku ka pohuar se pavarësisht interesimit të madh që ka nga skuadra si Bolonja e Torino në Serinë A apo Beshiktashi në Turqi, ai po bisedon me drejtuesit e Kozenës për rinovimin e kontratës. “Mirëpo, situata mund të them se është pak e ndërlikuar. Unë kam dëshirë të luaj në Serinë A. Me klubet e tjera kam pasur kontakte, por asgjë konkrete. Di të them se jam në skadencë të kontratës, megjithatë do të pres edhe pak…”, ka sqaruar mbrojtësi, i cili ka lënë të kuptohet se synon të shkojë më lart.