Derbi Milan-Inter në gjysmëfinale të Champions League

Sport

Derbi Milan-Inter në gjysmëfinalen e UEFA Champions League. Fitorja 2-0 e Interit në sfidën e vajtjes të çerekfinales së parë ndaj Benficas në transfertë, e bëri skuadrën zikaltër që të ishte me një hap në gjysmëfinale dhe një gjë e tillë u vërtetua në aktin e kthimit në “San Siro” të mërkurën mbrëma.

90 minutëshi i Milanos u mbyll me shifrat 3-3, me Interin që kaloi fillimisht në epërsi me anë të Nicolo Barella. Duke nisur që nga sezoni 2002/03, mesfushori u bë lojtari i parë i Interit që shënon në të dyja ndeshjet e një raundi çerekfinal të Champions Leage. Për herë të fundit një gjë të tillë për ekipin zikaltër e kishte bërë Christian Vieri.

Në të 38-tën, Benfica barazoi me anë të Aursens, ndërsa në të 65-tën, Lautaro Martinez riktheu edhe një herë tjetër të zotët e shtëpisë në epërsi. Ky ishte goli i 9-të i argjentinasit në Champions League me fanellën e Interit. Vetëm 4 lojtarë të tjerë në historinë e klubit kanë shënuar më tepër sesa kampioni i botës, Adriano me 14, Julio Cruz me 13, Hernan Crespo me 11 dhe Samuel Eto’o me 10.

Më tej, në të 78-tën, Joaquin Correa realizoi edhe të 3-tin për të zotët e shtëpisë, ndërsa në të 86-tën dhe në të 95-tën, Benfica e barazoi sfidën, duke shënuar dy gola të tjerë me anë të Antonio Silvas dhe Petar Musas, gola që në vijimësi, do të kujtohen vetëm si statistikë.

Në këtë mënyrë, Interi rikthehet në gjysmëfinale të Champions League për herë të parë që nga viti 2010-të, aty ku do të takojë rivalin e përjetshëm, Milanin. Për herë të parë në histori, Interi dhe Milani do të përballen 5 herë brenda një edicioni të vetëm futbollistik, duke marrë parasysh këtu 2 ndeshjet e Serie A dhe atë të Superkupës.

Për herë të fundit, gjigantët e Milanos, ishin përballur mes tyre në këtë fazë të kompeticionit, në edicionin 2002/03, përballje, që u mbyll me triumfin e Milanit.

Këtë herë, sfida e vajtjes do të luhet në datën 10 Maj, me Milanin që do të jetë fillimisht si skuadra pritëse, ndërsa akti i kthimit do të luhet në 16 Maj, me Interin si zot shtëpie.