Derbi i Madridit vishet bardhekuq. Në ndeshjen e javës së 6-të të La Ligas, Atletico mposhti 3-1 Realin në “Estadio Metropolitano”, duke i dhënë në këtë mënyrë fund ecurisë së 5 tiforeve radhazi të skuadrës së Carlo Ançelottit.
Sfida u zhbllokua që në minutën e 4, me anë të Alvaro Morata, përpara se Griezmann të dyfishonte shifrat në të 18-tën. Më tej, në të 35-tën minutë, Toni Kroos ngushtoi diferencën për Realin, por që vendasit u rikthyen në epërsinë e dy golave që në të parën minutë të pjesës së dytë, kur Alvarop Morata përshëndeti sërish rrjetën.
Vlen për t’u përmenduar se kjo ishte një sfidë, në të cilën, që të 3 golat në portën e Realit, Atletico i shënoi me kokë. Nga ana tjetër, duke nisur që nga sezoni 2003/04, kjo është vetëm hera e dytë në La Liga që Reali pëson 3 gola me kokë brenda një ndeshjeje të vetme.
Po ashtu, sa i përket përballjeve direkte mes trajnerëve, kjo ishte humbja e 8-të e Carlo Ançelottit ndaj Diego Simeones në të gjitha kompeticionet. Vetëm ndaj Luçiano Spallettit, Ançelotti ka humbur më shumë ndeshje direkte, plot 11.
Teksa për Atleticon, kjo ishte fitorja e 3-të në La Liga për këtë sezon, me ekipin bardhekuq që do të shpresojë në vijimësi për ecurinë e rezultateve pozitive, nga ana tjetër, kjo ishte humbja e parë e Realit këtë edicion në kampionat. Kësisoj, nga vend ii parë, Los Blancos kanë zbritur në vendin e 3-të me 15 pikë, kurse në krye është ngjitur Barcelona me 16 pikë.
Skuadra katalanase, e drejtuar nga Xavi Hernandez, ka arritur një fitore me përmbysje përballë Celta Vigos në shtëpi, me rezultatin 3-2.