Denver fiton përballjen direkte me Clippers, San Antonio mposht Toronton

Sport

Denver Nuggets kanë marrë vendin e dytë të ‘Konferencës së Perëndimit’, pasi fituan përballjen me kundërshtarët direktë të Los Angeles Clippers me rezultatin 114-104. Takimi do të niste mirë për Clippers, të cilët fituan periodën e parë me rezultatin e pjesshëm 30-29, por vendasit do të përmbysnin shumë shpejt në periodën e dytë, që e fituan me rezultatin e thellë 37-22. Lojtarët e Denver, të udhëhequr si gjithnjë nga Nikola Jokic, do të dominonin takimin deri në fund, për të marrë një fitore që provon edhe forcën e skuadrës së Nuggets.

Gjithsesi, shënuesit më e mirë të ndeshjes ishin lojtarët kryesorë të Clippers. Kawhi Leonard realizoi 30 pikë, Lou Williams 26 dhe Moretz Harrell 25, por që nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e takimit. Kjo, pasi plot 7 lojtarët të Denver shënuan më shumë se 10 pikë. Nikola Jokic, veç 20 pikëve, shërbeu edhe 6 asiste, si dhe fitoi 15 duele për zotërimin e topit nën tabelë, duke treguar supremaci edhe ndaj emrave të mëdhenj si Leonard apo Harrell.

San Antonio Spurs ndërkohë duket se kanë gjetur ritmin e duhur, teksa mposhtën kampionët në fuqi të Toronto Raptors me rezultatin e ngushtë 105-104. DeMar DeRozan dhuroi një tjetër performancë të jashtëzakonshme, duke udhëhequr teksanët në këtë fitore mjaft të rëndësishme. Ylli i Spurs realizoi 25 pikë dhe dha kontributin e tij edhe me 4 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Toronto më i miri ishte Ibaka me 21 pikë dhe 14 rikuperime të topit nën tabelë, ndërsa Kyle Lowry u ndal me 16 pikë dhe 15 asiste. Kampionët e Raptors do të dominonin në pjesën më të madhe të lojës, por Spurs përmbysën gjithçka në periodën e fundit të lojës, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 36-22. Në sekondat e fundit, Pascal Siakam i Torontos bëri një përpjekje të fundit për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij, por goditja e tij nuk ishte e saktë.


Mori fitoren e dytë radhazi ndërkohë skuadra e Brooklyn Nets, që vijon t’i gëzohet rikthimit në parket të Kyrie Irving. Me 21 pikë, ky i fundit ishte shënuesi më i mirë i takimit të fituar 108-86 ndaj Atlanta Hawks