Pas kualifikimit në finalen e UEFA Champions League, Real Madrid ka marrë një lajm jo fort pozitiv. Në kanalin zyrtar, klubi spanjoll ka komunikuar për publikun e gjerë, se Aurelien Tchouameni është i dëmtuar. Mesfushori, një ndër futbollistët më të rëndësishëm të kampionëve spanjollë, ka pësuar një lëndim në shputën e këmbës së majtë. Më tej, klubi ka bërë me dije se lojtari do të vazhdojë me procesin e rikuperimit, ndërsa gjatë gjithë kohës do të jetë në monitorim të vazhdueshëm nga ana e stafit mjekësor.
Kaq është informacioni që Real Madrid ka shpërndarë, ndërsa mediat pranë klubit 14 herë të Europës bëjnë me dije, se koha e rikuperimit të shtatlartit të mesfushës parashikohet të jetë deri në 3 javë.
Në rrethana si këto, në kampin madrilen tanimë kanë arsye madhore të jenë të shqetësuar. Duke qenë se finalja e Champions League ndaj Borussia Dortmund do të luhet në 1 Qershor, mundësitë që Tchouameni të jetë pjesë e asaj ndeshjeje, cilësohen të pakta.
Nëse 24 vjeçari nuk ia del dot në kohë të jetë gati për finalen, atëherë në vend të tij, pritet të luajë bashkëkombasi i tij, Eduardo Camavinga.
Këtë sezon, Tchouameni ka luajtur 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet, teksa ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë një assist për shokët e skuadrës.