Ndonëse ka vetëm pak orë në krye të Bayern Munich, Thomas Tuchel nuk ka marrë aspak lajme pozitive nga pauza e kombëtareve. Në miqësoren që Gjermania luajti ndaj Belgjikës, Leon Goretzka pësoi një dëmtim në kavilje dhe si pasojë u zëvendësua në minutën e 32 të sfidës.
Mesfushori është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Bayernit dhe teksa ndodhemi në një fazë mjaft vendimtare të sezonit, në kampin e kampionëve të Gjermanisë, kanë arsye madhore të ndihen të shqetësuar.
Pas 2 javësh, Bayerni do të luajë sfidën e para ccerekfinale ndaj Manchester Cityt në transfertë dhe një mungesë e Goretzka-s, do të thotë një armë më pak për teknikun Tuchel.
Megjithatë, përpara sfidës së Champions League, Bayerni do të luajë 2 ndeshje në kampionat, dhe një në Kupë, duke filluar që nga ajo e 1 Prillit ndaj Borussia Dortmund në Allianz Arena. Këtë herë, klasikja e futbollit gjerman luhet direkt për vendin e parë. Skuadra që do të marrë maksimumin e pikëve, do të hedhë një hap të rëndësishëm në garën për titullin kampion.
Sipas raportimeve, me shumë mundësi, Goretzka nuk do të jetë gati ndaj Dortmundit dhe nuk do të rrezikohet në sfidat pasardhëse. Ndërsa në 11 Prill ndaj Manchester Cityt, shpresohet që mesfushori të jetë gati, duke qenë se periudha 2 javore që ka në dispozicion mund t’i shërbejë atij për t’u rikuperuar plotësisht.