Dëmtohet Neymar, sinjale aspak të mira për brazilianin

Sport

Neymar JR mund të konsiderohet i pafatë. Teksa kishte vetëm pak kohë që ishte rikthyer nga një dëmtim, sulmuesi është ndalur sërish. Në ndeshjen ndaj Uruguajit, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të 2026-tës, që Brazili e humbi 2-0, afër fundit të pjesës së parë, Neymar është dëmtuar, por këtë herë lëndimi konsiderohet më serioz. Bëhet fjalë për një problem në këmbën e majtë, ndonëse shkalla e problemit mbetet për t’u zbuluar në një moment të dytë.

Duke parë reagimin e futbollistit, i cili në momentin e rrëzimit, kërkoi menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, lajmet nuk priten aspak të mira. Mes lotësh, 31 vjeçari doli me barelë nga fusha e lojës, çka do të thotë se ai mund të ketë dalluar diçka serioze. Nga të dhënat e para, duke marrë parasysh rëninen e lojtarit, dyshohet për ndonjë dëmtim të ligamentit të gjurit. Nëse diçka e tillë konfirmohet si e vërtetë, atëherë për Neymar do të ishte me të vërtetë fatkeqësi. Problemet me ligamentin e gjurit, janë nga dëmtimet më të rënda që një futbollist mund të pësojë. Duke marrë parasysh që Neymar është një element, i cili vuan shpesh nga problemet fizike, një tjetër ndalesë e gjatë, do t’ia vështorësonte gjithmonë e më tepër situatën ish-lojtarit të PSG për t’u rikthyer në fushë.

Në këtë mënyrë, kjo ngjarje nuk është një lajm aspak i mirë për përfaqësuesen e Brazilit, por njëkohësisht edhe për Al-Hilal, atje ku lojtari në fjalë, u transferua në merkaton e verës së lamë pas. Madje, edhe kur zbarkoi fillimisht në Arabinë Saudite, ish-ylli i Barcelonës, nuk mundi të luante dot menjëherë, sepse mbërriti i dëmtuar në Lindjen e Mesme.

Si pasojë, mes kampionatit dhe Champions Leagues aziatike, sulmuesi ka luajtur vetëm 5 ndeshje këtë sezon me skuadrën e Al-Hilal dhe ka mundur të shënojë vetëm një gol. Duke marrë parasysh shumën stratosferike që fiton në Arabi, apo edhe për atë se çfarë mund të japë në fushën e lojës, patjetër që dëmtimi i Neymar është një problem i madh për klubin saudit.