Dëmtohet lojtari i Bayernit, mund të mungojë në ndeshjen e kthimit ndaj PSG në Champions League

Sport

Probleme për Bayern Munich. Leroy Sane është dëmtuar në stërvitje. Anësori i sulmit ka pësuar një lëndim në kavilje dhe gjendja e tij është shqetësuese. Sikurse raportojnë mediat gjermane, Sane ka ndrydhur ligamentin dhe kjo do të thotë se ai do jetë jashtë fushës së lojës për disa javë, apo deri edhe në një muaj.

E sigurt është mungesa e lojtarit në fjalë në ndeshjen e fundjavës ndaj Stuttgartit, e vlefshme për javën e 23 të Bundesligës. Gjithashtu, duke parë gjendjen e futbollistit, në kampin bavarez besojnë se Sane do mungojë edhe në ndeshjen e kthimit ndaj PSG në “Allianz Arena”, e vlefshme për raundin e 1/8-tave të Champions League.

Sidoqoftë, i gjendur në këtë situatë, Julian Nagelsmann mund të ngushëllohet me faktin se pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje mjaft të mirë fizike dhe lojtarët e tjerë të sulmit janë të gjithë në dispozicion të tij. Ndaj Parisit, tekniku gjerman do ketë të gatshëm edhe Sadio Mane, i cili ishte mungesa e madhe e Bayernit në sfidën e vajtjes në tokën franceze.

Sa i përket formës së Sane, gjermani ka zhvilluar një sezon pozitiv deri në këtë fazë. Në 28 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, ai ka shënuar 12 gola, e gjithashtu ka kontribuar edhe me 6 asist. Anësori i sulmit ka qenë më produktiv në Champions League, ku në 5 ndeshje të luajtura, ka realizuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asist për shokët e skuadrës.