Dëmtohet Lionel Messi

Sport

Lajme aspak të mira për Inter Miami. Të mërkurën mbrëma, në ndeshjen ndaj Torontos,Lionel Messi u detyrua të dilte nga fusha e lojës në minutën e 37-të të ndeshjes. Argjentinasi u ul në stol, por më pas, nuk priti as të mbyllej pjesa e parë, por u drejtua në dhomat e zhveshjes.

Sikurse bëjnë me dije mediat ndërkombëtare, bëhet fjalë për një lodhje muskulore dhe jo për një dëmtim serioz. Thënë këtë, trajneri i Inter Miami, Gerardo Martino u shpreh se gjendja fizike e 7 herë fituesit të Topit të Artë do të monitorohet në vijimësi por nuk ka asnjë mundësi që Messi të jetë gati për ndeshjen e fundjavës, atë ndaj Orlando Cityt.

Gjithësesi, klubi nga Florida beson shumë se kampioni i botës do të jetë gati për ndeshjen në finalen e Kupës ndaj Houston të Mërkurën e ardhshme.

Në karrierën e tij, Messi ka luajtur 937 ndeshje dhe kjo ishte vetëm hera e 8-të që ai del nga loja përgjatë pjesës së parë. Kjo tregon se për gati 2 dekada, gjendja fizike e mëngjarashit ka qenë për t’u admiruar dhe ky padyshim konsiderohet një factor thelbësor për të gjitha arritjet e karrierës së argjentinasit.

Me Inter Miami, Lionel Messi ka luajtur 11 ndeshje në të gjitha kompeticionet, teksa ka arritur të shënojë po kaq gola. Gjithashtu, sulmuesi ka kontribuar edhe me 5 asiste për shokët e ekipit.

Ndërkohë, përveç Messit, ndaj Torontos, është dëmtuar edhe Jordi Alba. Ish-mbrojtësi i Barcelonës ka dalë nga fusha e lojës gjithashtu në pjesën e parë, por që sipas teknikut Martino, situata nuk duket të jetë aq serioze.