Dëmtimi i Vinicius Junior është serioz, ja sa do të mungojë braziliani

Sport

Dëmtimi i Vinicius Junior ka rezultuar më i rëndë nga sa mendohej në fillim. Disa ditë pas ngjarjes, mbi lëndimin e brazilianit është hedhur më tepër dritë. Si fillim, trajneri Carlo Ançelotti u shpreh se gjithçka ka të bëjë vetëm me një tërheqje të lehtë muskulore dhe asgjë më tepër, duke lënë të nënkuptuar se së shpejti, numri 7-të i “Bernabeut” do të rikthehej në fushën e lojës.

Mirëpo, nga ekzaminimet e kryera së fundmi, rezulton se grada e dëmtimit është në masë të konsiderueshme. Sipas mediave spanjolle, Vinicius do të mungojë minimumi një muaj, por mundësia është e madhe që periudha e rikuperimit të tij të zgjasë deri në 6 javë. Kjo është hera e parë për Vinicius Junior që përballet me një dëmtim të tij dhe mbetet për t’u parë se si do të jetë reagimi i 23 vjeçarit.

Thënë këtë, Vinicius nuk do të jetë në disa prej ndeshjeve të shtatorit që Real Madrid do të zhvillojë, për të mos thënë që mund t’i humbasë të gjitha ato. Duke marrë parasysh kalendarin, Real Madrid do të luajë 4 ndeshje kampinati në shtatori, ku mes të tjerash, spikat derbi ndaj Atletico Madrid.

Kjo situatë, ka ngritur mjaft pasiguri në ambientin madrilen, sepse Vinicius është një prej lojtarëe kryesorë të sulmit, sidomos pas largimit të Karim Benzema. Kësisoj, ndonëse alternativat në sulm, duken jo shumë bindëse, trajneri Carlo Ançelotti është ndër të paktit që vazhdon të ruajë qetësinë, duke u shprehur për mediat, se skuadra e tij është e kompletuar dhe e gatshme të përballet me çdo sfidë përgjatë gjithë sezonit futbollistik.

Nga një deklaratë e tillë, tekniku italian ka lënë të kuptohet se pavarësisht situatës së komplikuar me dëmtimet, Real Madrid nuk do të bëjë asnjë lëvizje të detyruar në merkato, me afatin kalimtar të verës, që është futur në fazën e ditëve të fundit.