Dëmtimi i Sane është i rëndë, Bayern mund të tërhiqet nga blerja e gjermanit…

Sport

Tek Bayern Munich të gjithë i trembeshin dëmtimit të rëndë të Leroy Sane, objektivi kryesor i merkatos bavareze dhe mesa duket transferimi i lojtarit në Gjermani është vënë në pikëpyetje. Pas disa ditësh heshtje, Manchester City ka konfirmuar se dëmtimi që Leroy Sane pësoi në ndeshjen kundër Liverpool, të vlefshme për trofeun e ‘Community Shield’, është më i rëndë së sa ishte menduar.
Gjermani ka lënduar lidhjen e ligamentit pranë gjurit të djathtë, çfarë e bën të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale. Lojtari me gjasa do të kërkojë disa muaj për rikthimin e tij në fushën e lojës, ndërsa Bayern Munich mund të tërhiqet nga blerja e anësorit të Manchester City.
Drejtori i bavarezëve, Hasan Salihamidzic shprehu keqardhje për lëndimin e Sane dhe i uroi talentit gjerman shërim të shpejtë. Ndërsa i pyetur rreth transferimit ose jo të lojtarit tek Bayern, Salihamidzic preferoi të mos komentonte, ndonëse nga reagimi i tij u duk se kampionët e Gjermanisë do të heqin dorë nga kjo tratativë.
Mediat sportive raportojnë se tashmë vëmendja e bavarezëve do të kthehet tek objektiva të tjerë të merkatos, ku dy nga lojtarët më të përfolur janë Ousmane Dembele i Barcelonës dhe Hakim Ziyech i Ajaksit. Por ka edhe raportime që thonë se klubi ka një marrëveshje me Interin për huazimin e Ivan Perisic.
Dy blerjet e mëdha të Bayern për këtë merkato verore mbetet dy mbrojtësit anësorë francezë, kampionë të botës, Benjamin Pavard dhe Lucas Hernandez, marrëveshje të cilat Bayern i mbylli përpara hapjes zyrtare të merkatos. Që atëherë, kampionët e Gjermanisë janë lidhur me shumë lojtarë të tregut europian, me Leroy Sane që ishte kthyer në objektiv kryesor.