Dëmtimi i Robert Lewandowskit është serioz, ja sa do të mungojë sulmuesi i Barcelonës

Sport

Probleme për Barcelonën. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim, dëmtimi i Robert Levandovskit është serioz. Në ndeshjen ndaj Portos në Champions League, të fituar 1-0, polaku doli nga fusha e lojës në minutën e 34, por në kampin katalanas qëndruan optimist, me shpresën se lëndimi i lojtarit do të ishte i lehtë dhe mund të ishte gati për ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Granadas.

Megjithatë, sipas njoftimit të klubit në kanalin zyrtar, testet e ditës së enjte, kanë treguar një panoramë më të detajuar të gjendjes së 35 vjeçarit. Levandovski ka ndrydhur kaviljen e majtë dhe si pasojë nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Xavi Hernandez, për një periudhë rreth një mujore.

Në këtë mënyrë, ish-lojtari i Bayern Munich rrezikon të humbasë edhe El Clasicon ndaj Real Madrid në 25 Tetor, teksa përpara kësaj ndeshjeje, pritet të mungojë ndaj Granadas dhe Bilbaos në kampionat, e gjithashtu ndaj Shakhtar Donetsk në Champions League.

Në 10 ndeshje të luajtura këtë sezon në të gjitha kompeticionet, Levandovski ka shënuar një total prej 6 golash, e po ashtu ka dhuruar edhe 4 asite për shokët e skuadrës.

Në rrethana të tilla, pritet që në vend të polakut, trajneri Xavi të aktivizojë që nga minuta e parë, sulmuesin Ferran Torres, i cili këtë sezon ka ditur të jetë i rëndësishëm për skuadrën katalanase. Spanjolli është aktivizuar 9 ndeshje në total, por me një total prej vetëm 354 minuta. Pra, rreth 40 minuta për ndeshje. Megjithatë, 23 vjeçari e ka shfrytëzuar në maksimum mundësinë e tij, sepse ka arritur të shënojë 4 gola.