Viti 2022 mund të konsiderohet i mbyllur për Paul Pogba. Mesa duket, dëmtimi i mesfushorit në gjurin e djathtë, po rezulton më i rëndë nga sa pritej. Si fillim, me meniskun e lënduar, aludohej se maksimumi që mesfushori mund të mungonte ishte një periudhë nga 4 deri në 6 javë.
Megjithatë, tashmë situata ka ndryshuar rrënjësisht dhe për fatin e keq të Juventusit, lajmi është mjaft negativ. Kampioni i Botës mund të mbetet jashtë fushave për një periudhë 5 mujore, çka do të thotë se nuk mund të luajë dot as me Francën në Botërorin e Katarit.
Teksa Juventusi vazhdon me fazën përgatitore në SHBA, Pogba është rikthyer në Torino, për t’u konsultuar me një specialist mbi problemin e tij. Sikurse raportojnë mediat italiane, tashmë Pogba ndodhet përpara dy alternativave.
Së pari, nëse do operohet, atëherë koha e rikuperimit mund të jetë maksimumi dy muaj, mirëpo stafi mjekësor nuk ia ka rekomandar diçka të tillë, sepse për moshën që ka aktualisht 29 vjeçari, gjuri i tij nuk do riaftësohej plotësisht dhe vazhdimisht do të kishte probleme.
Ndërsa zgjidhja e dytë, është qepja e meniskut pa ndërhyrje kirurgjikale. Mirëpo kjo është një procedurë që kërkon një kohë më të gjatë rikuperimi, çka do të thotë se Pogba mund të riaftësohej në nëntor, ose në dhjetor dhe koha do të ishte thuajse e pamundur për të që të përgatitej për Kupën e Botës.
Më fjalë të tjera, mesfushori do bëhej gati vetëm për gjysmën e dytë të sezonit dhe mund të rikthehej në fushën e lojës në muajin janar të vitit 2023.
Nga ana tjetër, dëmtimi I Pogba, ka ndryshuar gjithashtu edhe planet e Juventusit për repartin e mesfushës. Kjo do të thotë se Adrien Rabiot dhe Arthur Melo, të cilët ishin në plan për t’u shitur, tashmë mund të mbeten pjesë e organikës së trajnerit Massimiliano Allegri.