Dëmtimi i Courtois, ja kush mund ta zëvendësojë tek Real Madrid

Sport

Dëmtimi i Thibaut Courtois në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik, e ka zënë Relin e Madridit në befasi. Kjo ngjarje e papritur, ka bërë që drejtuesit e klubit të nisin menjëherë lëvizjen e gurëve për të sjellë në “Santiago Bernabeu” zëvendësuesin e belgut.

Ky i fundit, këputi ligamentin e gjurit të majtë, e si pasojë, pritet të mungojë për një kohë mjaft të gjatë. Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, 31 vjeçari, mund të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë 9 mujore.

Andriy Lunin, që është portier i dytë, është 24 vjeç dhe me mjaft potencial, mirëpo drejtuesit nuk kanë besim se ukrainasi mund të përballojë presionin e fanellës madrilène si titullar i katërkëndëshit.

Thënë këtë, Reali nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të transferojë sa më parë një tjetër portier. Deri më tani, në listë janë 4 emra dhe Reali ka nisur nga puna për transferimin e njërit prej tyre. Fjala është për David De Gea, i larguar këtë verë nga Manchester United, Kepa Arrizabalaga i Chelsea, Bono i Sevilla dhe Mamardashvili i Valencias.

Duke u bazuar në informacionet e para, kandidati kryesor për të firmosur me 14 herë kampionët e Europës është David De Gea, duke qenë se spanjolli mund të afrohet me parametra zero dhe mund të pranojë të nënshkruajë një marrëveshje të shkurtër me Realin, që mund të jetë vetëm për një vit, derisa Courtois të jetë sërish gati.