Dëmtimi I Abraham, ja sulmuesit që Roma mund të transferojë

Sport

Roma interesohet për sulmuesin Gianluca Scamaca. Dëmtimi i gjatë i Tammy Abraham, e ka detyruar klubin verdhekuq që t’I kthejë sytë nga merkatoja e verës. Për këtë arsye, mediat përtej detit, shkruajnë se kryeqytetasit e Italisë janë duke monitoruar situatën e ish-lojtarit të Sassuolos, Scamaca.

Në verën e kaluar, sulmuesi në fjalë u transferua në radhët e West Ham United për shifrën e rreth 40 mln eurove, mirëpo duhet thënë se aventura e shtatlartit në Londër, nuk ka shkuar sipas parashikimeve.

Ai nuk mundi të ishte dot zgjedhja kryesore e trajnerit David Moyes në repartin e sulmit, e si pasojë, pjesën më të madhe të ndeshjeve që ka luajtur, I ka nisur nga stoli. Në total, janë 27 sfida të luajtura në të gjitha garat, ndërsa gola të shënuar janë vetëm 8. Pavarësisht kontratës deri në 2027-tën me klubin londinez, West Ham, nuk do t’I thoshte “jo” një oferte të kënaqshme për Scamacan.

Ndonëse forma e sezonit që lamë pas, nuk premton shumë, drejtuesit e Romës, kanë bindjen se Scamaca është alternativa më e mirë për sulmin. Serie A është një terren që 24 vjeçari e njeh mjaft mirë, për shkak të së shkuarës së tij me Sassuolon, aty ku ishte një prej sulmuesve më të spikatur të kampionatit.

Gjithësesi, nëse dështon pista Scamaca, Roma ka gati një tjetër alternativë dhe ai është Mauro Icardi. Argjentinasi duket mjaft I lumtur në radhët e Galatasaray, por një ofertë nga Italia, mund ta tundonte atë që të zbarkonte në “Olimpico” dhe të bëhej pjesë e organikës së drejtuar nga Jose Mourinho.