Telenovela e Ousmane Dembele tashmë i ka orët të numëruara. Diskutimet e gjata rreth të ardhmes së francezit, pritet të marrin fund të shpejti. Sikurse raportojnë mediat pranë klubit të Barcelonës, Dembele do rinovojë kontratën me katalanasit.
Bëhet fjalë për një kontratë 2 vjeçare. Madje, vetë lojtari ka pranuar kushtet e vendosura nga gjigantët e La Ligas. Kjo do të thotë se në marrëveshjen e re, Dembele do ketë një pagë 40% më të ulët sesa e mëparshmja, ndonëse prej kohësh anësori e refuzonte një gjë të tillë dhe kishte pretendime më të majme.
Mirëpo, mesa duket, 25 vjeçari është dorëzuar dhe tashmë është I gatshëm që hedhë të zezën mbi të bardhë me klubin blaugrana dhe të mbetet nën urdhërat e trajnerit Xavi Hernandez, I cili e konsideron atë mjaft thelbësor për skemat e tij të lojës.
Ndër të tjera, një factor që e ka bindur Dembelenë të mendojë rinovimin me Barcelonën, është mungesa e ofertave nga klubet e tjera të kontinentit, të cilët nuk është se kanë këmbëngulur shumë për të siguruar kartonin e tij.
Më tej, përveçse është pranë rinovimit me lojtarin e sipërpërmendur, Barcelona është gati të kryejë një tjetër lëvizje në merkato. Pas Franck Kessie dhe Christensen, katalanasit janë shumë pranë marrëveshjes me lojtarin e Leeds United, Raphinha. Për shërbimet e brazilianit, spanjollët do paguajnë plot 71 mln euro në arkat e klubit anglez. Madje, gjithçka duket e përfunduar, pasi edhe vetë Raphinha nuk ka udhëtuar me pjesën tjetër të skuadrës në Australi, për të kryer fazën përgatitore. Kjo do të thotë se ai po pret nga momenti në moment që të konfirmohet si një lojtar I Barcelonës.