Del renditja e plotë! Kylian Mbappe, lojtari më i shtrenjtë në botë…

Sport

Vlerat e lojtarëve në tregun europian kanë arritur majat në vitet e fundit. Transferimet me vlera mbi 100 milionë euro tashmë janë kthyer në operacione shumë normale për klubet e mëdha në kontinent. Rekordin e transferimit më të shtrenjtë aktualisht e mban Neymar, që la Barcelonën për t’u bashkuar me PSG për 222 milionë euro. Megjithatë, braziliani nuk është më lojtari më i shtrenjtë në qarkullim. Këtë etiketim e ka marrë shoku i tij i skuadrës, Kylian Mbappe. Ylli i Francës është vlerësuar nga ‘Qendra Ndërkombëtare e Studimeve në Sport’ në bazë të moshës, arritjeve dhe prespektivës që ai paraqet.

Në këtë mënyrë, kartoni i kampionit të botës llogaritet të ketë një vlerë prej 265,2 milionë eurosh. 21-vjeçari ka lënë pas vetes në këtë aspekt, yllin e Manchester City, Raheem Sterling, shërbimet e të cilit vlerësohen në 223,7 milionë euro. Podiumi plotësohet nga Mohammed Salah, që vlerësohet 175,1 milionë euro. Renditja vijon me Jadon Sancho, Sadio Mane, Harry Kane dhe Marcus Rashford. Vetëm vendi i 8 për Lionel Messi-n. Kartoni i 32-vjeçarit sipas këtij studimi shkon në 125,5 milionë euro, duke lënë pas vetes Antoine Griezmann. Më pas vjen Lautaro Martinez, që me 115,7 milionë, llogaritet si lojtari më i shtrenjtë i ‘Serie A’. 11 lojtarët më të shtrenjtë në botë janë të gjithë sulmues.
Për të gjetur dikë që nuk luan në vijën e parë, duhet të shkojmë te vendi i 12, ku habit me prezenca e yllit të ri të Leicester, James Maddison, kartoni i të cilit vlerësohet ne 112,4 milionë euro. Vetëm vendi i 19 për Neymar me 100,4 milionë euro. Ndërsa befason renditja e Cristiano Ronaldos. Për shkak të ndikimit të moshës së tij, portugezi renditet në vendin e 49, me një vlerë që nuk e kalon shifrën e 81 milionë eurove.

Ndërsa portieri më i shtrenjtë mbetet gardiani i Liverpool, Alisson Becker, vlera e të cilit llogaritet në 87,6 milionë euro.