Debuton Inter Miami, Carlos Vela ‘prish’ festën e Beckham!

Sport

Nisja e kampionatit amerikan të futbollit i ka dhënë jetë edhe zyrtarisht edhe rrugëtimit të Inter Miami. Klubi i ri i krijuar nga ish-lojtari i Manchester United dhe Real Madrid, David Beckham ka tërhequr jo pak vëmendje në debutimin në ‘MLS’, që niste me transfertën e vështirë ndaj Los Angeles. Festa e David Beckham u prish pikërisht nga lojtari më i mirë i vitit të kaluar në këtë kampionat, Carlos Vela, i cili në minutën e 44 të takimit, realizoi një gol mjaft të bukur me parabolë. Ky do të rezultonte goli i vetëm i ndeshjes, duke vulosur një debutim me humbje të Inter Miami në një datë mjaft historike për këtë klub. Në stadium ndodhej edhe britaniku, Beckham, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe drejtues të tjerë të klubit.
Gjithësesi, pavarësisht rezultatit, trajneri i Inter Miami, Diego Alonso u shfaq i kënaqur me atë që skuadra e tij paraqiti në fushën e lojës. Ndonëse ende mungojnë emrat e mëdhenj që Beckham ka premtuar, Inter Miami është shfaqur si një skuadër mjaft kërkuese e plot grintë, çfarë duket se e ka kënaqur presidentin e klubit. Në fund të takimit, Beckham ishte i emocionuar që më në fund një dëshirë e hershme e tij tashmë ishte realitet, ndonëse debutimi i Inter Miami në ‘MLS’ në shkoi ashtu si të gjithë e prisnin. Për të kompletuar krijimin e klubit, Beckham ka investuar edhe në ndërtimin e stadiumit të ri apo edhe të kompleksit me ambjente sportive, ku jo vetëm do të stërvitet skuadra, por do t’i jepet mundësia edhe të rinjve të tregojnë vlerat e tyre, me qëllimin për të bërë sa më të dashur futbollit edhe përtej Atlantikut.