Debutim ëndrrash, ja si Haaland bën tifozët të ëndërrojnë

Sport

Erling Braut Haaland ka bërë debutimin e ëndrrave me skuadrën e Dortmund në një ndeshje të ‘Bundesliga’-s teksa ishte protagonist në fitoren 5-3 me përmbysje në transfertën ndaj Augsburg. Sulmuesi norvegjez u fut në lojë nga stoli dhe brenda 23 minutash, ia doli të shënonte një tripletë, njësoj siç bëri në debutimin e tij në ‘Champions League’ më herët gjatë këtij sezoni. Haaland është kthyer menjëherë në ‘të preferuarin’ e tifozerisë së Dortmund, që besojnë shumë se me talentin norvegjez në majën e sulmit, mund të ëndërrojnë për të arritur objektiva madhorë. Për të realizuar këtë tripletë, Haaland i mjaftuan vetëm 10 prekje të topit, një tjetër rekord ky në ‘Bundesligë’ për ekipin e Dortmund.
Vetë lojtari është shfaqur i lumtur për këtë debutim të jashtëzakonshëm për skuadrën e tij të re. Ai u shpreh se objektivi i tij është të fitojë sa më shumë eksperiencë dhe të fitoj trofe me këtë klub. Ndonëse ishte vetëm ndeshja e parë, shifrat flasin në favor të sulmuesit norvegjez, që duket se formon një dyshe të frikshme me talentin e kombëtares angleze, Jadon Sancho. Tek Dortmund janë optimistë se njësoj si Bayern me Lewandowski apo Leipzig me Werner, edhe ata kanë gjetur tashmë goleadorin e tyre, që pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në ecurinë e ekipit të drejtuar nga Lucien Favre. Një fakt interesant është se edhe Aubameyang realizoi një tripletë në debutimin e tij për Dortmund në vitin 2013, pikërisht në transfertën ndaj Augsburg.