Debati për simulimet në fushë, Wenger thotë se anglezët janë tashmë mjeshtra

Sport

Arsene Wenger

“Lojtarët anglez janë kthyer tashmë në mjeshtra të simulimit” ky ka qenë komenti i Arsene Wenger që ka tërhequr më së shumti vëmendjen këtë javë. Trajneri francez tha të tijën rreth duelit Liverpool-Tottenham, ku pati mjaft kontestime rreth simulimit që Dele Alli bëri duke u ndëshkaur edhe me karton të verdhë për këtë gjë. “Mbaj mend që më përpara këtë stil e përdornin lojtarët e huaj, por anglezët e mësuan shumë shpejt këtë pjesë dhe them se tani janë mjeshtra” – ka komentuar drejtuesi i Arsenalit, kontestues i tmerrshëm i vendimeve arbitrale. Në analizën e saj, të premten, BBC theksoi se kjo nuk është hera e parë që Wenger komenton me të tillë qëndrim këtë aspekt të lojës. Nëntorin e vitit të kalaur, kur Arsenali humbi 3-1 me Manchester City-in, ai tha se Raheem Sterling “simulon si dreqi”. Në këtë debat të gjerë që ka përfshirë futbollin, Wenger ka theksuar se i kritikon fort lojtarët e tij për orvatjet në simulime. “Absolutisht lojtarëve të mi nuk u them kurrë të simulojmë, unë madje them që simulimin duhet ta nxjerrim jashtë loje, por kjo varet nga gjyqtarët në fushë” – tha trajneri i Arsenalit, që drejton topcinjtë prej më shumë se 800 ndeshjesh në Premier League. Këtë sezon Federata Angleze e Futbollit ka ndërfutur rregulla të reja që ndëshkon lojtarët që simulojnë edhe pasi ndeshja të jetë përmbyllur. Një panel i ngritur enkas në Federatë gjykon më pas të gjitha pretendimet. Në vitin 2012-të, Michael Owen justifikoi rritjen e simulimeve në Angli me ndikimin që kanë pasur ardhjet e lojtarëve nga Amerika e Jugut, Spanja apo Italia.