Pavarësisht se si do të shkojë aventura e Ajax-it në këtë fund sezoni në Champions League, djemtë e drejtuar nga Erik ten Hag kanë fituar zemrat e shumë tifozëve me lojën dhe rezutlatet e tyre deri më tani. Triumfi i radhës erdhi në Londër përballë Tottenham, me një gol të Donny van de Beek që vendosi gjithçka. Por ra në sy me paraqitjen e tij edhe kapiteni Matthijs de Ligt. Vetëm 19-vjeçar, de Ligt ka treguar edhe njëherë se di se si të jetë një lider i vërtetë tek ekipi i ‘harkëtarëve’. Megjithatë pas përfundimit të takimit me Tottenham, de Ligt u përpoq të qëndronte modest dhe t’i jepte meritat shokëve të tij të skuadrës. Ai theksoi se çelësi i suksesit të Ajax-it është fakti që ata nuk kanë një yll në skuadër. Kjo gjë ka bërë që loja e tyre të mos rrotullohet vetëm tek një lojtar.
Fakti që e njohin njëri tjetrin prej shumë kohësh dhe se janë miq të mirë edhe jashtë fushës së blertë, ka bërë sipas tij që të kuptohen shumë mirë gjatë ndeshjeve. De Ligt pranoi se skuadra hasi vështirësi në pjesën e dytë, por tha se kjo ishte diçka e kuptueshme pasi po luanin kundër një ekipi që pëlqen lojën intensive. Në fund, de Ligt nuk mund t’i shmangej edhe një pyetje rreth të ardhmes së tij, pasi 19-vjeçari është përfolur së fundmi se është objektiv i disa skuadrave të mëdha, si Barcelona, Manchester United, PSG, Liverpool, etj. De Ligt u shpreh se për momentin është i përqëndruar vetëm tek Ajax-i dhe se lajmet që ai ka patur kontakte me ndonjë skuadër tjetër janë thjesht spekulime mediatike.