Prej disa ditësh është përfolur se kalimi i Matthijs de Ligt nga Ajaksi tek Juventus është diçka e kryer, ndonëse palët e përfshira kanë refuzuar të komentojnë. Por ai që thyen heshtjen është agjenti i talentit holandez, Mino Raiola, i cili ka zbuluar se klienti i tij shpreson vetëm në gjetjen e një marrëveshjeje sa më shpejt midis dy klubeve. Sipas asaj që tha agjenti i tij, De Ligt mund të ishte larguar nga ‘harkëtarët’ që në verën e kaluar, por u arrit një marrëveshje verbale me drejtuesit e skuadrës se nëse qëndronte edhe një vit, do lejohej të largohej sezonin pasardhës për një çmim rreth 50 mln euro.
Raiola duket se e kanë vënë në dijeni Juventusin për këtë detaj, prandaj oferta fillestare e bardhezinjve ishte pikërisht 50 mln euro. Tek Ajaksi e kanë refuzuar menjëherë, pasi nuk mund të lejojnë kurrësesi që kapiteni i skuadrës të largohet aq kollaj, në një kohë ku në merkato luhet me çmime të çmendura. Mesazhi i Raiolas duket i qartë. De Ligt tashmë e ka një marrëveshje personale me kampionët e Italisë dhe kërkon të mbyllë sa më shpejt të jetë e mundur transferimin e tij tek bardhezinjtë. Takimet mes përfaqësuesve të të dy klubeve vijojnë të mbahen në Amsterdam, me Juventus që duhet të rrisë menjëherë ofërtën për De Ligt, pasi janë të shumta skuadrat që mund të paguajnë pa problem deri në 80 mln euro për lojtarin e kombëtares holandeze.