De Ligt e Mane debutojnë me gol

Sport

Ka nisur epoka post Lewandowski për Bajernin e Mynihut. Bavarezët kanë hedhur hapin e parë në një rrugëtim të ri ku nuk kanë më një futbollist i cili në 8 vite shënoi 344 gola, dhe hapi i parë ishte pozitiv. Kampionët e Gjermanisë e fituan miqësoren kundër DC United në Washington me rezultatin tenistik 2-6.

Sfida e zhvilluar në “Audi Field” që ishte edhe e para e “die roten” në këtë sezon u dominua nga ekipi i Nagelsmann ku mbi të gjitha u evidentuan golat e dy debutuesve Mathijs De Ligt dhe Sadio Mane. Senegalezi ishte ai që e hapi serinë e golave që në minutën e 5-të duke dërguar në rrjetë një 11 metërsh. 7 minuta më vonë Sabitzer i shërbyer nga Gnabry dyfishoi shifrat. Golin e tretë e shënoi vetë Serge Gnabry pak caste përpara fundit të pjesës së parë. Në segmentin e dytë Nagelsmann aktivizoi De Ligt dhe vetëm pas 2 minutash në fushë holandezi i ardhur pak ditë më parë nga Juventusi, u kordinua në mënyrë të përsosur duke merituar duartrokitje. 51 minuta lojë dhe rezultati shkoi 0-5 pasi 21 vjecari Joshua Zirkzee shënoi të 5-in për Bajernin. Skuadra e Wayne Rooney-t u mundua ta zbuste humbjen dhe Lehland gjeti rrjetën duke shfrytëzuar edhe një gabim pikërisht të De Ligt. Më tej Theodore Ku-Dipietro realizoi edhe të dytin për DC United. Në minutat e fundit gjermanët gjetën edhe një herë shtegun drejt golit me Thomas Muller që i vulosi shifrat në 2-6 në kryeqytetin e SHBA. Një start i mire për kampionët e Gjermanisë dhe për dy afrimet më të rëndësishme të merkatos Mane e De Ligt, pavarësisht se holandezi luajti vetëm 28 minuta sepse u largua i dëmtuar.