De Ligt drejt largimit nga Juventusi, agjenti e dërgon në Spanjë

Sport

Në merkaton e verës së shkuar, një ndër temat më të përfolura ishte e ardhmja e Matthijs de Ligt, me holandezin, i cili ishte mes Barcelonës dhe Juventusit, por si përfundim, shtatlarti vendosi ta vijonte karrierën e tj në Torino. Ndërkohë, së fundmi, mediat italiane raportojnë se është agjenti i tij, Mino Raiola, i cili mësohet se mund ta dërgojë 20 vjeçarin tek Real Madrid. Kjo lëvizje mund të duket e besueshme, për faktin se tashmë Sergio Ramos është në moshën 34 vjeçare, ndërsa Eder Militao nuk ka bindur shumë me performancat e tij. Përkrah Varane duhet një tjetër emër i rëndësishëm për të ardhmen dhe De Ligt do të plotësonte më së miri këtë repart. Zyrtarisht ende nuk ka asnjë ofertë apo deklaratë, ndërsa të shohim ç’do të ndodhë në verë. Kujtojmë që sezoni i De Ligt me bardhezinjtë nuk nisi ashtu sikurse pritej, sepse në fushën e lojës, qendërmbrojtësi po tregonte se i duhej mjaft kohë për t’u përshtatur me shokët e skuadrës, e për më tepër me një kampionat si Serie A. Konkurenca ishte e vështirë, pasi duhet të ulte në pankinë Bonuçin ose Chiellinin, gjë që po dukej një mission shumë i vështirë. Është dashur dëmtimi i gjatë i Chiellinit, që De Ligt të luante titullar, mirëpo sërish nuk i ka shpëtuar kritikave. Gjatë këtij viti futbollistik, De Ligt ka zhvilluar 27 paraqitje me fanellën bardhezi në të gjitha kompeticionet, ndërsa ka shënuar edhe 2 gola.