De Ligt bëhet më në fund bardhezi, Raiola e krahason me…

Sport

U konkretizua më në fund përforcimi që tifozët e Juventusit prisnin prej disa javësh. Mathijs De Ligt ka zbarkuar në Torino si mbrojtësi më i ri bardhezi, në mbyllje të një tratative të gjatë me Ajaksin, të cilit do t’i shkojnë 75 milionë euro. Holandezi 19-vjeçar mbërriti me avion privat mbrëmjen e së martës, duke lëshuar edhe fjalët e para si juventin.  Ndërsa të mërkurën kreu vizitat mjekësore rituale me kampionët e Italisë, ndërkohë që kishin dalë për ta pritur qindra tifozë në delir për këtë blerje të re aq shumë të dëshiruar. Mbrojtësi ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me bardhezinjtë, për një pagë prej 12 milionë eurosh në vit, bashkë me bonuse. Ndërsa klauzola e prishjes së kontratës do të jetë e fiksuar në 150 milionë euro, por vetëm duke filluar nga viti 2022.


Nbi këtë lëvizje të De Ligt ka folur edhe agjenti i tij, Mino Raiola, i cili sqaroi se Juventus është ekipi që i përshtatet më mirë holandezit. Sipas tij, “për një mbrojtës, të luajë në Itali është e rëndësishme pasi aty mund të mësojë të bëhet numri një në botë. Veçanërisht për karrierën e tij ishte i nevojshëm ky hap”. Ndërsa Raiola guxoi të bëjë edhe krahasime, kur u shpreh: “Për mentalitetin dhe punën që bën mund të them se ngjan me Nedved, kurse për ambicjen më kujton Ibrahimoviç”. Vërtet krahasime të forta që nxehin edhe më shumë ambientin bardhezi.