Aurelio De Laurentiis është nga ata personazhe që di se si të bëjë zhurmë me deklaratat e tij. Presidenti i Napolit ka folur së fundmi për transferimin rekord të Harry Maguire nga Leicester tek Manchester United, duke e vënë theksin tek shifra ‘e tepruar’, sipas tij, që ‘djajtë e kuq’ shpenzuan për shërbimet e 26-vjeçarit.
De Laurentiis u shpreh se Maguire është një mbrojtës shumë i mirë dhe i fortë fizikisht, por nëse ai ka kushtuar 87 milionë euro, atëherë Kalidou Koulibaly i Napolit vlen rreth 270 milionë euro. Numri 1 i ‘të kaltërve’ shtoi se nuk do të kishte shpenzuar më shumë se 35 milionë euro për kartonin e Maguire, ndërsa theksoi se Koulibaly vlen më shumë edhe prej faktit se dominon fazën mbrojtëse në një kampionat që ‘shquhet’ për liderat e prapavijës.
Ai e shpjegoi se çmimi i lartë i Maguire lidhet edhe me fitimet që kanë skuadrat të cilat luajnë në ‘Premier League’. Sipas De Laurentiis, klubet angleze përfitojnë gjatë sezonit thuajse 2-fishin e asaj që arkëtojnë klubet e tjera europiane, si në kampionatin francez, spanjoll, italian apo gjerman.
Sa i përket Koulibaly, presidenti i Napolit thotë se mbetet mbrojtësi më i mirë në botë dhe i vetmi që mund ta rivalizojë për momentin për këtë gjë është Virgil Van Dijk i Liverpoolit, për të cilin ai ka një respekt të madh. Në lidhje me merkaton e Napolit, De Laurentiis tha se së bashku me drejtues të tjerë të skuadrës po vazhdojnë punën për të përforcuar organikën e drejtuar nga Ancelotti, por përsëriti se çmimet e tregut të sotëm në merkaton e futbollistëve po e bën gjithmonë e më të vështirë për skuadra si klubi italian…