De Bruyne vendos rekord me asistimet, trajneri Martinez e quan më të mirin

Sport

Kevin De Bruyne është nga ata lojtarë që di se si të zgjidhë një ndeshje dhe për të bërë këtë, mesfushori belg jo domosdoshmërisht duhet të shënojë vetë për ta realizuar këtë. Në sfidën që Belgjika fitoi në transfertën ndaj Skocisë 4-0 për eleminatoret e europianit, De Bruyne ishte lojtari më i mirë i ndeshjes dhe protagonist absolut me 1 gol dhe 3 asiste. Lojtari i Manchester City madje vendosi një rekord në këtë fushatë eleminatoresh si i vetmi futbollist që ka asistuar 3 herë brenda së njëjtës ndeshje. Ai gjithashtu ishte i saktë në 5 krosime dhe krijoi 7 raste të pastra shënimi. Vlerësimet për të pas ndeshjes ishin mëse të kuptueshme, por ka qenë trajneri i kombëtares belge, Roberto Martinez, ai që e ka konsideruar De Bruyne si mesfushorin më të mirë në botë.

Martinez u shpreh se ky është momenti më i mirë i karrierës së 28-vjeçarit dhe fakti që luan në vazhdimësi në nivele kaq të larta, provon se ai është më i miri në qarkullim për rolin e tij. Vetë De Bruyne tha se ndihet i lumtur që ka vlerësime të tilla, por vijon të fokusohet për t’u përmirësuar dhe për të bërë gjithmonë e më mirë. Mesfushori tha se kërkon të fitojë sa më shumë trofe dhe është i gatshëm të bëjë çdo gjë për t’ia arritur. Objektivi i belgut dhe i Manchester City mbetet triumfi në ‘Champions League’, teksa në ‘Premier’ duket se do të sfidohet sërish me Liverpool-in për titullin kampion. Me përfaqësuesen e Belgjikës, Kevin De Bruyne numëron 71 paraqitje, ku llogarit 17 gola dhe 31 asistime.