Portieri i Kombëtares shqiptare dhe i Lacios, Thomas Strakosha pësoi 3 gola kundër Interit, aq sa nuk iu kursyen kritikat nga opinioni sportiv italian. Mirëpo në mbrojtje të tij ka dalë ish-tekniku i përfaqësueses kuqezi, Gianni De Biasi, sipas të cilit kritikat ndaj portierit të përfaqësueses shqiptare pas paraqitjeve të tij me Lacion, janë të tepruara. Për italianin, Strakosha mbetet një talent, i cili është përmirësuar ndjeshëm dhe ka mundësi të mëdha për më shumë.
“Unë mendoj se Thomas në sezonin e kaluar ka treguar se mund të bëjë gjëra të mëdha, se është një portier i madh, por është ende i ri. Unë e kam parë të përmirësuar në lojën me këmbë, por gjithsesi duhet të luajë vazhdimisht dhe të fitojë ende eksperiencë”, tha fillimisht De Biazi për “Radio Sei”. Por nuk ka nguruar që ta krahasojë edhe me atë që është cilësuar si një nga portierët italianë me më shumë të ardhme në Serinë A. “Për momentin nuk më duket se ka portierë të tjerë të rinj që kanë bërë më mirë. Mjafton të shohësh Donarumman, që ka bërë jo pak gabime…”, ishte deklarata e De Biazit duke iu referuar portierit 19-vjeçar të Milanit.
Për t’u kujtuar është fakti se ishte pikërisht tekniku italian, ai që i dha mundësinë T.Strakoshës, për të debutuar në Kombëtaren shqiptare. Saktësisht në marsin e 2017-s, me rastin e ndeshjes ndaj Italisë në Palermo. Natyrisht besimi që ka pasur atëherë tek portierin 23-vjecar, De Biazi vijon ta ruajë ende edhe 19 muaj më pas, megjithëse është larguar nga Shqipëria.