De Biasi: Gashi duhet të ndërrojë ekip, ndryshe…

Sport

1448051 w2

 

Problemet me trajnerin Urs Fischer te Baseli janë nga ato të pariparueshmet për Shkëlezen Gashin. Prandaj, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, i ngacmuar nga gazeta zvicerane BLICK, i ka dhënë një këshillë mesfushorit përsa i takon të ardhmes së tij.
Tekniku i përfaqësueses kuqezi ka deklaruar se Gashi duhet të ndërrojë skuadër, për të luajtur e për të qenë sa më në formë, përpara kampionatit evropian ‘Francë 2016’. “Me aq sa më ka treguar, Shkëlzeni nuk po arrin ta kuptojë dot gjendjen e tij në klub. Ai është stërvitur mirë dhe është sjellë në mënyrë profesionale, por më kot…”, është shprehur De Biasi në lidhje me kryeshënuesin e dy kampionateve të fundit në Zvicër, por që këtë sezon ka realizuar vetëm 3 herë.
Në këtë situatë, dëshira për të ndërruar skuadër që në merkaton e dimrit është e natyrshme, pasi Gashi nuk mund të qendrojë më shumë në një gjendje të tillë. Por i pyetur nëse i ka dhënë ndonjë sugjerim për ekipin se ku duhet të luajë, tekniku kuqezi ka theksuar se nuk mund të ndërhyjë në zgjedhjen e tij. “Ai është i pjekur dhe e di mirë çfarë duhet të bëjë. Nuk përzihem se me cilën skuadër duhet të nënshkruajë”, ka përfunduar trajneri italian.
Prej kohësh, për Gashin ka interesim të madh prej dy skuadrat zvicerane, Young Boys dhe Sion, ndërsa ai ka edhe disa opsione të tjera nga Gjermania dhe Italia, ku interesohet Verona.