David de Gea është shumë pranë rinovimit të kontratës me Manchester United. Portieri është në muajt e fundit të kontratës me djajtë e kuq, por mediat në ishull raportojnë se prej kohësh, palët janë duke biseduar për një marrëveshje të re dhe gjithçka është drejt konkretizimit.
Nga kontrata aktuale, De Gea përfiton rreth 425 mijë euro në javë, që ndryshe përkthehet si lojtari më i paguar i United.
Megjithatë, për të qëndruar në “Old Trafrord”, De Gea duhet të pranojë një ulje të konsiderueshme të pages aktuale dhe vetë spanjolli nuk është kundër këtij kushti të vendosur nga klubi. Si fillim, rinovimi do jetë vetëm një vjeçar, ndërsa në verën e ardhshme, do të ketë një tjetër takim, për ta rishikuar edhe një herë tjetër këtë çështje.
Edhe trajneri i skuadrës, Erik ten Hag është shprehur pro rinovimit të De Geas, sepse përveç sigurisë që ofron mes 2 shtyllave, spanjolli është një prej lojtarëve më me eksperiencë në skuadër, e për këtë arsye, një aspekt i tillë, i nevojitet shumë ekipit në momente të caktuara të sezonit.
32 vjeçari është pjesë e Manchester United që prej 2011-tës, e prej atëherë, ka luajtur 535 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke fituar gjithashtu edhe 8 trofe.