Kosova e fiksoi fitoren më të madhe në histori duke e mposhtur Suedinë në Goteborg me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e katërt të fazës kualifikuese për Kampionat Botëror. Golin e vetëm e ka realizuar Fisnik Asllani, i cili goditi në minutën e 32-të. Një minutë para se të mbyllej pjesa e parë Kosova rrezikoi edhe një herë ku goditi shtyllën me anë të Leon Avdullahut, Ndërsa goditja paraprake e Muriqit u prit Johanssoni. Pas katër ndeshjeve Kosova ka shtatë pikë dhe blindon pozitën e dytë në tabelë, kurse Suedia mbetet e fundit me një pikë dhe pa gjasa për kualifikim. Tani, dardanët kanë edhe një skenari për kualifikimin direkt, megjithëse do të duhet të mposhtin ZVicrën në ndeshjen e fundit të grupit që kanë në Prishtinë. Por gjithashtu helvetët duhet të mos fitojnë në ndeshjen që kanë në shtëpinë me Suedinë po në nëntor, gjë që duket disi e vështirë përsa kohë që suedezët kanë dalë nga llogaritë e kualifikimit.
Kështu që më i realizueshëm është skenari i arritjes në play-off. Për të cilin duhet barazim me Slloveninë, ose edhe 1 fitore nëse Zvicra i fiton dy të fundit. Duhet thënë se deri tani, dardanët kanë edhe rekord pikësh sa i takon sfidave të kualifikimeve për një Botëror. Në kualifikimet e para, për botërorin e vitit 2018, Kosova në 10 ndeshje kishte vetëm 1 pikë. Në kualifikimet për botërorin e vitit 2022, në 8 ndeshje vetëm 5 pikë. Tani, në kualifikimet për Botërorin e vitit 2026 në vetëm 4 ndeshje ka 7 pikë, rekord që mund të thellohet edhe në dy ndeshjet e mbetura me Sllovenin e Zvicrën.