Danilo flet pas largimit nga Juventusi: Dikur ishte një familje, sot nuk është më

Sport

Danilo nuk është larguar me përshtypjet më të mira nga Juventusi. I komentuar prej kohësh për një largim të mundshëm nga skuadra torineze, diçka e tillë ndodhi në Janarin e këtij viti, teksa braziliani ka ndërprerë kontratën me klubin bardhezi dhe do të nisë një aventurë të re në vendlindje me Flamengon.

Ndërkohë, ish-lojtari i Manchester City, apo Real Madrid, ka dhënë një intervistë të fundit për mediat, ku është shprehur se nga Juventusi nuk është larguar me përshtypjet më të mira. “Nuk pendohem që u largova nga Juventusi, ndonëse do të kisha dashur të isha përshëndetur me tifozët në stadium. Juventus ii vërtetë janë pikërisht tifozët. Jo trajnerët apo lojtarët”, ka thënë fillimisht lojtari. I pyetur për arsyet e largimit nga Juventusi, Danilo ka thënë se ai gjithmonë ka qenë gati për të luajtur, por nuk mund të ndikojë dot në zgjedhjet e trajnerit, apo të klubit. 33 vjeçari ka shtuar gjithashtu se sa herë që ka zbritur në fushën e lojës, ai ka dhënë më të mirën e tij, kështu që po largohet me ndërgjegje të pastër nga Torino.

Më tej, mbrojtësi ka dhënë gjithashtu edhe një mesazh të fortë: “Juventusi ka qenë gjithmonë një familje e bashkuar, por tani nuk është më njësoj. Gjithsesi, do të mbaj mend momentet e bukura përgjatë këtyre 5 viteve e gjysmë. Tek Juventusi unë jam rritur si lojtar dhe si person, kështu që përherë do të jem një tifoz më tepër i bardhezinjve”, ka thënë Danilo.

Përgjatë merkatos së Janarit, Danilo u kërkua edhe nga Napoli, me trajnerin Antonio Conte që e donte në skuadrën e tij, por braziliani vendosi të kthehej në vendin e tij të lindjes.