Daniil Medvedev dhe Madison Keys triumfojnë në finalet e ‘Cincinnati’

Sport

Daniil Medvedev ka arritur një nga triumfet më të mëdha në karrierën e tij, pasi triumfoi në finalen e turneut të ‘Cincinnati’. Edhe pse përballë kishte një kundërshtar aspak të lehtë, si David Goffin, tenisti rus ia doli të mbyllte takimin brenda 1 ore e 41 minutash lojë, duke e mbyllur 2-0 me sete. Pasi kishte mposhtur më herët gjatë kompeticionit numrin 1 të botës, Novak Djokovic, Medvedev vinte me besimin e duhur për të arritur tek titulli i parë ‘Masters’ në karrierë. Seti i parë i lojës kundër Goffin u mbyll 7-6 me ‘tie-break’, ndërsa në setin e dytë, Medvedev u mjaftua duke fituar 1 ‘game’ me shërbimet e kundërshtarit, për të triumfuar 6-4.

Me fitoren në ‘Cincinnati’, 23-vjeçari rus jo vetëm që mori titullin e parë të rëndësishëm në karrierë, por tashmë e sheh veten të pozicionuar në vendin e pestë të renditjes, si asnjëherë më parë për të. Ndërsa tek femrat, finalja u fitua nga tenistja amerikane, Madison Keys. 24-vjeçarja mposhti 2-0 me sete pas 1 ore e 45 minutash, dy herë fituesen në turnetë ‘Grand Slam’, Svetlana Kuznetsovan. 7-5 dhe 7-6 ishin rezultatet që regjistruan të dyja setet, që i japin Keys trofeun e dytë të rëndësishëm për këtë sezon. Deri përpara kësaj finaleje, Madison Keys pozicionohej në vendin e 18 të renditjes botërore, por pas triumfit ndaj Kuzntsovas do të rikthehet të jetë mes 10 më të mirave të globit.