Daniele De Rossi ka folur për herë të parë si trajner i Romës. Ish-mesfushori ka pranuar të zëvendësojë të larguarin Jose Mourinho, teksa ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në fund të sezonit. Në varësi të rezultateve, do të shqyrtohet gjithashtu edhe e ardhmja e 40 vjeçarit në Olimpico.
Në fjalët e tij të para, De Rossi vjeçari ka tëhënë se e di që koha rrjedh kundër tij, kështu që nuk ka rrugë tjetër, veçse të përveshë mëngët dhe të fillojë menjëherë nga përgatitjet, ndërsa ka zbuluar gjithashtu edhe telefonatën që mori nga drejtuesit e Romës.
“Jam i ndërgjegjshëm se përpara na pret një punë e madhe, prandaj nuk ka kohë për të humbur. Telefonata nga drejtuesit ishte surprizuese dhe emocionuese në të njëjtën kohë. U ndjeva sikur isha mbi re, sepse e kuptova se diçka do të ndodhte. Kur fola më klubin, më mjaftoi vetëm 10 minuta kohë për të vendosur”, ishin disa prej fjalëve të para të De Rossit.
Më tej, italiani është ië vetëdijshëm për situatën që është skuadra, por ai nuk trembet nga kjo gjë, duke thënë se edhe ekipet më të forta në botë, kanë probleme.
Ndeshja e parë e De Rossit si trajner i Romës do të jetë të Shtunën ndaj skuadrës së Veronës në Olimpico, përpara publikut verdhekuq.
“Prej tifozëve kërkoj të jenë ashtu sikurse kanë qenë në ditët e arta. Si një përkrahës i këtij klubi, mendoj se diçka e veçantë do të rikrijohet edhe një herë tjetër. Lidhja mes skuadrës dhe tifozëve do të jetë më e madhe. Momente negative mund të ketë, por unë mendoj se një ekip me një përkrahje të tillë nga tifozëria, mund të kalojë shpejt çdo problem me të cilin haset”, janë fjalët e 40 vjeçarit.
Në 20 javë të luajtura në Serie A, Roma klasifikohet në vendin e 9 të tabelës së renditjes, në kuotën e 29 pikëve. Zona Champions, që është edhe objektivi kryesor i klubit, ndodhet vetëm 5 pikë larg.