Daniel Ricciardo nisi vitin 2018 në ‘Formula 1’ në mënyrën më të mirë të mundshme, madje aq sa mendoi se do të ishte pjesë e luftës për titull, por më pas situata u përmbys. Piloti australian u detyrua t’i dorëzohej fatit të keq deri sa në fund vendosi të largohej nga Red Bull për të nënshkruar një kontratë me Renault për 2 vitet e ardhshme. “Ky ka qenë sezoni më i çuditshëm që kam patur në ‘Formula 1’. Fitova 2 nga 6 garat e para, gjë që nuk më kishte ndodhur më parë dhe mendova se ky sezon do të ishte i duhuri për titull.” Por gjërat për piloti australian nuk ecën ashtu si ai i kishte menduar. Mercedes dhe Ferrari gjetën ritmin dhe vazhduan fitoret, teksa ‘Red Bull’ e kishte shumë të vështirë të përballonte dy rivalët e mëdhenj. Madje edhe vetë numri 1 i skuadrës austriake, Christian Horner, pranoi se ishin dorëzuar sa i përket këtij sezoni dhe sytë e skuderisë ishin nga e ardhmja. “Nuk e kuptova se çfarë ndodhi pas garës së Montekarlos, pasi motivimi tek unë nuk ka munguar dhe dashuria ime për këtë sport nuk është vënë kurrë në diskutim.”
Shumë njerëz u befasuan nga vendimi i 29-vjeçarit për të kaluar tek Renault, duke qenë se skuadra franceze prej vitesh nuk është aq kompetitive, ndërkohë që Riccardo është shprehur se pavarësisht se tashmë e ka marrë vendimin, vazhdon të jetë i përqendruar tek garat e mbetura. “Nuk kam menduar asnjë moment për të ardhmen. Kur të mbarojë gara e fundit në Abu Dhabi dhe të heq tutat e Red Bull atëherë po. Atëherë do të emocionohem, pasi do të mbyll një kapitull të rëndësishëm të karrierës time. Këtë sezon ndodhën shumë gjëra, që më kanë bërë shumë të reflektoj.”