Sulmuesi i Manchester United, Daniel James ka zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren e Uellsit, teksa është bërë pjesë e skuadrës që nga nëntori i vitit të kaluar. 21-vjeçari ka bërë paraqitje mjaft të mira në këtë fillim sezoni dhe është ndër të paktën që mund të vlerësohet tek skuadra e Manchester United, që për momentin nuk po kalon një periudhë të mirë. James erdhi gjatë verës nga Swansea, por pritshmëritë ndaj tij nuk ishin të mëdha. Megjithatë, sulmuesi 21-vjeçar ka treguar se e ka merituar vendin e tij tek ‘djajtë e kuq’ sa herë që i është dhënë mundësia dhe dukej se kjo kishte tërhequr edhe vëmendjen e kombëtares angleze. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. James zbuloi se trajneri i ‘tre luanëve’, Gareth Southgate kurrë nuk e ka telefonuar për një mundësi për të luajtur me Anglinë. Madje as federata angleze nuk ka bërë asnjë përpjekje të për biseduar me sulmuesin dhe James ka vendosur të luajë për Uellsin.
21-vjeçari tha se edhe nëse Anglia do të kishte shfaqur interes, Uellsi për të do të ishte më e favorizuar, për faktin se i kanë besuar aftësive të lojtarit edhe në ekipet e moshave. Duke qenë se babai i Daniel James është me origjinë nga Uellsi, për lojtarin zgjedhja nuk duket të ketë qenë e vështirë. 21-vjeçari ka shënuar 3 gola në këtë fillim sezoni me United, po aq sa edhe sulmuesi tjetër i ‘djajve të kuq’, Marcus Rashford, por me ndryshimin që ky i fundit ka patur mundësinë të luajë çdo ndeshje si titullar. Ndërsa me kombëtaren e Uellsit, James numëron deri më tani 6 ndeshje, ku ka realizuar edhe 2 gola.