Dani Olmo dhe Pau Victor do të luajnë për Barcelonën

Sport

Dani Olmo dhe Pau Victor do të jenë në gjendje të luajnë për Barcelonën, të paktën përkohësisht. Pas refuzimit që Federata Spanjolle e Futbollit dhe La Liga i bënë klubit katalanas për regjistrimin e dy lojtarëve në fjalë, Barcelona e ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Sporteve, me këtë të fundit, që i ka dhënë mundësi drejtuesve të shoqërisë blaugrana, që të vijojnë punën për regjistrimin me kohë të plotë të dy futbollistëve në fjalë.

Me fjalë të tjera, të dy lojtarët e sipërpërmendur, do të jenë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick për finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Real Madrid ose Mallorcas, dhe do vazhdojë të jetë kështu, deri në momentin, kur Këshilli Kombëtar i Sporteve në Spanjë, të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, Barcelona është duke punuar me ritëm të lartë, për të gjetur një zgjidhje sa i përket ngërçit financiar që ka kapluar klubin dhe që po e dëmton në shumë drejtime, por sidomos në merkato, dhe më konkretisht në regjistrimin e lojtarëve. Siç raportohet nga mediat spanjolle dhe jo vetëm, 27 herë kampionët e La Ligas, po punojnë për të shitur stolat VIP të stadiumit të ri që është në ndërtim, për shifrën e 100 milionë eurove, në mënyrë që të jetë brenda rregullave të skemës financiare të vendosur nga La Liga.