Ai konsiderohej si një nga lojtarët më të mirë që mund të firmosej me parametra zero dhe pavarësisht moshës 36-vjeçare, Dani Alves kishte treguar se mund të ishte një afrim me vlera për çdo skuadër. Megjithatë, braziliani zgjodhi të transferohej tek skuadra e Sao Paolos në vendlindjen e tij, ndonëse siç vetë lojtari zbuloi në një intervistë të fundit, ai kishte oferta edhe nga dy prej ish-skuadrave të tij. Dani Alves tha se Barcelona dhe Juventus ishin gati t’i ofronin një kontratë 1-vjeçare, ku do të kishte mundësinë të luante sërish në nivelet më të larta. Por vetë lojtari tha se vendosi të hedhë poshtë këto propozime, si dhe shumë oferta të tjera të ngjashme të klubeve europiane, pasi ai dëshiron që të jetë pjesë e Brazilit në botërorin e vitit 2022.
Alves do të jetë 39 vjeç në atë periudhë, por mbrojtësi është besimplotë se do të jetë gati si fizikisht edhe mendërisht për të luajtur edhe një botëror tjetër. Për të fituar një vend në kombëtare, atij i duhet të përpiqet më shumë se të tjerët dhe kontrata 1-vjeçare nuk i garantonin asgjë. Për të tepër, ai e pranon se do të ishe më e vështirë të luante rregullisht tek skuadra si Barça apo Juventus, ndërsa tek Sao Paolo ai gjeti të gjitha kushtet e duhura për të vazhduar misionin e tij. Për këtë arsye, Alves nuk pendohet për zgjedhjen që ka bërë dhe tashmë është krejtësisht i përqëndruar për të bërë sa më mirë me skuadrën e tij të re, me të cilën këtë sezon ka gjetur edhe rrugën e rrjetës.