Daley Blind: Po pres me padurim të luaj për Bayernin

Sport

Daley Blind flet si bavarez. Mbrojtësi i qendrës është zyrtarizuar si një lojtar i Bayernit, duke firmosur një kontratë deri në fund të sezonit me gjigantët gjermanë. Në fjalët e tij të para, tulipani është shprehur mjaft i lumtur për këtë aventurë të re në karrierë dhe nuk ka asnjë dyshim për zgjiedhjen e tij.

“Po pres me padurim të luaj me Bayernin. Jemi në gjysmë të sezonit dhe kjo është faza kur luhet për të fituar trofetë. Kam firmosur me një klub që aspiron të fitojë çdo titull të mundshëm. Dëshira ime e madhe për sukses ka qenë vendimtare për t’u bërë pjesë e Bayerni. Shpresoj që me përvojën time të jap një kotribut të çmuar në skuadër. Do jap maksimumin për këtë fanellë”, janë fjalët e 32 vjeçarit.

Ky përforcim i Bayernit konsiderohet mjaft i dobishëm edhe nga Hasan Salihamidziç, Drejtori Sportiv i kampionëve të Gjermanisë. Sipas tij, Blind cilësohet një mbrojtës me mjaft kualitet. Përveç sigurisë që garanton në prapavijë, po ashtu, shtatlarti është një lojtar që mund të luajë në dy pozicione, si në qendër, gjithashtu edhe në krah.

Daley Blind iu bashkua Bayernit me parametra zero, pasi më herët mbylli 6 muaj përpara kohe kontratën me Ajaksin e Amsterdamit.