Plot 1784 ditë pas shpalljes së Gjermanisë kampione e botës në “Brazil 2014”, Kupa që përfshin përfaqësueset e mbarë rruzullit kërkon një pronar të ri. Janë 32 skuadra në garë, por në realitet duket se vetëm disa kanë probabilitet për të dalë fituese e ndër to mund të përmenden Gjermania, Brazili, Spanja, Argjentina, apo edhe Franca. Për këtë kanë dhënë mendimet e tyre edhe disa ish-futbollistë dhe trajnerë që kanë qenë pjesë e Botërorëve në të kaluarën.
Ronaldo Luis Nazario Da Lima, i njohur thjesht si Fenomeni, është i mendimit se ky Botëror është mjaft i ekuilibruar. “Nuk shoh një favorit të veçantë. Gjithsesi jam optimist për Brazilin, pasi e kam parë të luajë mirë, sidomos në muajt e fundit. Sa i takon Portugalisë nuk besoj se do të shkojë larg në këtë Botëror. Jo aq shumë për Cristiano Ronaldo, por për skuadrën. Përderisa do të përballet me kundërshtarë me më shumë përvojë, Portugalia nuk do t’ia dalë”, ka përfunduar mendimin e tij braziliani.
Ndryshe duket se mendon ish-tekniku i Brazilit dhe Portugalisë, Felipe Skolari, për të cilin “favoritët janë Brazili, Argjentina, Franca, Gjermania, Spanja dhe pikërisht Portugalia. Më pas sipas tij vijnë skuadra të tjera që mund të befasojnë, sic janë Anglia me Belgjikën.
Ndërsa ish-mbrojtësi i Francës, Marsel Desailly mundohet të zbukojë recetën e suksesit në këtë turne: “është e rëndësishme të ruash një energji të mirë në brendësi të skuadrës, që ta mbajë të bashkuar në cdo situatë. gjithashtu është themelore të kesh disa lojtarë në formë maksimale. Kjo mund të bëjë diferencën. Për të festuar përvjetorin e finales së vitit 1998, një Francë-Brazil më 15 korrik nuk do të ishte keq…”.
Opinioni i argjentinasit Hernan Krespo është se favoritët mbeten gjithmonë të njëjtët. “Por në krashasim me atë që shohim sot në futboll, Botërorët do të jenë më të hapur nga sa mendojnë, me skuadra interesante. Mendoj se do të ketë hapësirë për një surprizë dhe do të jetë një kampionat i madh”.