Patrick Cutrone do të vazhdojë të jetë pjesë e Milanit për një kohë të gjatë. Sulmuesi 20-vjeçar, i cili mund të quhet se e vetmja gjë pozitive e kuqezinjve nga sezoni i kaluar, u përfol shumë për një largim në formë huazimi, pasi shumë skuadra ishin interesuar për të. Tek Milan, Cutrone mbetet ndër më të vlerësuarit, kryuesisht për pasionin që ka për fanellën kuqezi. Mediat italiane raportojnë së fundmi se bashkëpunimi mes palëve do të vazhdojë, pasi Cutrone ka firmosur në “Casa Milan” rinovimin e kontratës, ku aludohet se ka përfituar edhe rritje page deri në 1 milionë euro.
Zyrtarizimi nga ana e kuqezinjve pritet të bëhet shumë shpejt, ndërsa për Cutrone është një vlerësim i madh, pasi ai mundi konkurencën e Nikola Kalinic e Andre Silva, që tashmë janë të larguar nga Milanello. Vitin e kaluar, Cutrone ishte golashënuesi kryesor i Milanit, pasi realizoi 18 gola në të gjitha kompeticionet. Ai ka kaluar në të gjitha skuadrat zinxhir të të rinjve të Milanit, për të përmbushur ëndrrën e tij për të përfaqësuar fanellën kuqezi në San Siro. Kartoni i sulmuesit 20-vjeçar sipas “transfermarkt” llogaritet rreth 23 milionë euro, por për Milan ai nuk largohet. Këtë sezon, si shok skuadre në repartin e sulmit do të ketë Gonzalo Higuain, nga i cili sipas Leonardos, Cutrone mund të mësojë vërtet shumë.