Çudia, Reali nuk ka vend në muze për Champions-in e 13-të!

Sport

uclreal

Trofeu i tretë radhazi i Champions League, i katërti në 5 vitet e fundit. Pasi theu tabunë e “La Decima”-s me Karlo Ancelotti në 2014-n, Real Madrid nuk dëshiron të ndalet më. Përjashto një vit kur fitoi Barcelona në 2015-n, për pjesën tjetër ka qenë dominim i madrileneve, me tre sukseset e arritur në Milano kundër Atletikos, në Kardif ndaj Juventusit dhe së fundi në Kiev përballë Liverpulit. Në total janë 13 trofe të Ligës së Kampionëve… Por ja që janë tepër edhe për vetë… Realin e Madridt. Po, sepse pas kthimit në Madrid, ka pasur vështirësi për të gjetur vend për Kupën e radhës në muzëun e “Santiago Bernabeut”. ndoshta as vetë “los blancos” nuk e prisnin të fitonin një numër kaq të madh Champions League-ash radhazi.

Në sektorin ku ekspozohen trofetë, në muzëun e stadiumit madrilen, ishin bërë gati tre hapësira, por që u zunë nga kupat e fituara në Lisbonë, Milano e Kardif. Kështu që tani nuk ka vend për të 13-tën. Klubi spanjoll duhet të modifikojë vendosjen e Kupave, për të krijuar një hapësirë të re për trofeun e fituar në Kiev. Dhe mësohet se Champions League e fituar këtë vit ndaj Liverpulit do të ketë një vitrinë të vogël të veçantë, përkrah trofeve të tjerë. Kjo do të jetë vetëm përkohësisht, derisa të përgatitet një hapësirë e re në brendësi të koleksionit që përmban të gjitha kupat me veshë të mëdhenj.

Muzeu i Santiago Bernabeut është i treti më i vizituar në Madrid, pas atyre të Mbretëreshës Sofia dhe atij të Prados. Sigurisht që të shumtë do të jenë tifozët që në këto ditë, do të mësyjnë drejt stadiumit me kuriozitetin për të shikuar edhe “La Decimotercera”-n. Që për të paktën 1 javë, do të jetë lehtësisht e dallueshme në një vitrinë të veçuar, në pritje për të pasur hapësirën e merituar në koleksionin e trofeve të Realit të Madridit.

depositphotos 196520106 stock photo madrid spain march 2018 detail