Crvena Zvezda vs Manchester City, TS2 HD, 18:45

Sport

Barak Bakhar, trajneri i Crvena:

“Manchester City është skuadra më e mirë në botë, ndonëse për momentin, nuk ka të gatshëm disa lojtarë të rëndësishëm. Kur Rodri mungon, City nuk fiton dot. Prandaj uroj që Rodri të mos luajë sonte.

Përpara na pret një ndeshje e vështirë dhe këtë e dimë mirë. Kemi zhvilluar paraqitje të mira në fazën mbrojtëse dhe në mbrëmje si kjo, diçka e tillë është mëse e rëndësishme. Duke marrë parasysh që jemi në vend të parë në kampionat, atëherë mendojmë se mund të dalim me pikë nga takimi i sotëm. Duam që fazën e grupeve ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë sezon kemi zhvilluar paraqitje pozitive në fazën e grupeve. Performancat kanë qenë në nivelin e duhur, por ka munguar rezultati dhe për këtë jemi të zhgënjyer.

Tifozët janë tepër të rëndësishëm për ne. Duhet thënë se ata kanë dhënë gjithmonë mëtë mirën e tyre. Madje, edhe kur kemi luajtur në transfertë, është dukur sikur jemi në shtëpinë tonë. prandaj jam i sigurt se edhe sonte përkrahja e tyre nuk do të na mungojë. Uroj që ata të na ndihmojnë për të marrë një rezultat të mirë.

Sa i përket formacionit, nuk mund të zbuloj dot asgjë, opr kjo do të shihet në fushën e lojës. Ajo që mund të them është se po përgatitemi për të luajtur një ndeshje serioze. Do të luajmë sipas mënyrës që ne dimë të luajmë, duke u përpjekur të ndërtojmë sa më tepër raste shënimi, e gjithashtu të tregohemi solid në mbrojtje.”

 

 

Uros Spajic, mbrojtësi i Crvena Zvezda:

“Për ne është një eksperiencë fantastike që do të luajmë përballë skuadrës më të mirë në botë. Prandaj, nuk do të kishte asnjë kuptim nëse nuk do të jepnim më të mirën tonë në fushën e lojës. Sigurisht që faktori psikologjik është mëse i rëndësishëm në mbrëmje të tilla, por ne jemi të vendosur për të dhënë më të mirën tonë. Do të shkarkojmë të gjitha bateritë në fushën e lojës, në mënyrë që të bëjmë të lumtur edhe tifozët tanë.

Sa herë që zbres në fushën e lojës, kam një ndjesi të veçantë për Crvena Zvezda. Madje, do të thoja se është diçka që nuk e kam përjetuar me klubet e tjera që kam luajtur pëgjatë karrierës sime. Unë jam rritur këtu, e po ashtu e njoh mjaft mirë edhe dashurinë e tifozëve.

Sa i përket kundërshtarit, i dimë mjaft mirë cilësitë që ka një skuadër si Manchester City. Në aspektin personal, nuk e di nëse do të luaj, por nëse i referohemi traditës, lojtari i cili paraqitet në konferencë, është pjesë e formacionit. Megjithatë, nëse do të luaj, ose jo, kjo është diçka që i takon trajnerit të vendosë. Unë vij nga një periudhë delicate, për shkak të problemeve fizike, e për këtë arsye nuk jam ende në formën time më të mirë. Megjithatë, të shohim se ç’do të ndodhë.”

 

Pep Guardiola, trajneri i Manchester Cityt:

“Kur synon të fitosh të gjitha ndeshjet e grupit, është një impenjim i madh, sepse së pari duhet të performosh mirë, të përgatitesh në nivelin e duhur përpara se të zbresësh në fushën e lojës. Për këtë arsye, ne asnjëherë nuk bëjmë eksperimente, por gjithmonë e analizojmë kundërshtarin në detaje dhe bëhemi gati për fitore.

Sonte, disa lojtarë do të pushojnë, por kjo do të ndodhë, sepse  kemi luajtur vetëm përpara 3 ditëve, e njëkohësisht kemi udhëtuar shumë. Për këtë arsye, jam i lumtur që sonte, do të shoh të luajnë disa futbollistë, të cilët nuk janë aktivizuar shumë përgjatë këtij sezoni. Megjithatë, asgjë nuk do të ndryshojë. Ashtu si gjithmonë, motivimi do të jetë i njëjtë dhe të do luajmë në maksimumin tonë.

E gjithë çështja është të japim më të mirën tonë dhe të performojmë mirë.

Haaland? Ai mungon për shkak të një problemi fizik, por mendoj se ditën e Enjte do të bashkohet sërish me pjesën tjetër të skuadrës. Gjithësesi, nuk e di nëse do të jetë gati për të luajtur në takimin e radhës në kampionat ndaj Palace. Në konferencën e radhës do të jap një informacion më të detajuar në lidhje me këtë temë.

De Bruyne? Sigurisht që do të doja që ai të ishte i gatshëm për ne dhe sigurisht që kemi nevojë për të. Megjithatë, duhet ta përballojmë këtë situatë me lojtarët që kemi në dispozicion. Unë e kam thënë disa herë, që kur kemi lojtarë, që mund të luajnë në disa pozicione, atëherë nuk është problem kur mungon dikush.

Më tepër do të thoja se për momentin po përjetojmë një fazë ndryshimi, e për këtë arsye, kjo kërkon kohën e vetë, derisa ekipi të përshtatet në mënyrën e duhur. Gjithësesi, jam i bindur se e kemi përballuar mirë këtë periudhë, duke mos bërë shumë hapa fals.

Madje, do të thoja se kemi arrituar të vendosim standarte. Në 6, ose 7 ndeshje, kemi humbur vetëm një, kështu që nuk është ndonjë hata e madhe. Performanca ka qenë pozitive, edhe kur kemi barazuar.”

 

Ortega Moreno, portieri i Manchester Cityt:

“Jam i lumtur që do të luaj sot, sepse do të jetë mundësia ime e radhës të tregoj versionin tim më të mirë. Para së gjithash kemi së tepërmi kualitet në skuadër, kështu që çdo ndeshje paraqitemi në mënyrën e duhur. Në këtë situatë, mendoj se unë mund të përshtatem mjaft mirë, sepse nuk jam më në hapat e parë të karrierës sime. Prandaj, mendoj se nuk është aspak e vështirë për mua në këtë aspekt.

Uroj të jap më të mirën time dhe të jem gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Duke marrë parasysh që jemi një skuadër me kualitet të lartë, është gjithashtu e lehtë për mua të jap më të mirën time në çdo seancë stërvitore. Sa herë më jepet mundësia, përpiqem të bëj luaj ndeshjen time më të mirë.”