Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë i bindur, e ardhmja e tij duket larg United

Sport

Cristiano Ronaldo vazhdon ta mendojë të ardhmen larg nga Manchester United. Pas një telenovele shumë të gjatë verore, si përfundim, ylli portugez mbeti në Old Trafford, mirëpo nuk e ka nisur aspak mirë sezonin e ri futbollistik.

Në 7 ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha kompeticionet, në më të shumtën e rasteve, CR7 e ka nisur nga stoli, ndërsa nuk ka mundur të shënojë dot asnjë gol, apo të dhurojë ndonjë assist.

Por nuk është ky problemi më i madh i momentit për 5 herë fituesin e Topit të Artë. Ronaldo ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Erik ten Hag. Ai nuk konsiderohet më si zgjedhja parësore e takticienit hollandez, i cili preferon më tepër të luajë me Jadon Sancho, apo Marcus Rashford që nga minuta e parë. Pa llogaritur këtu që organikës së djajve të kuq tashmë i është shtuar edhe Antony, i cili erdhi në momentet e fundit të merkatos për rreth 100 mln euro.

Sikurse raportojnë mediat në ishull, në kampin e United ka një zhgënjim rreth CR7, për faktin se ky i fundit nuk u bashkua me pjesën tjetër të skuadrës përgjatë fazës përgatitore. Një veprim i tillë konsideruar si jo profesionist në ambientet e brendshme të 20 herë kampionëve të Anglisë.

Në këtë situatë, Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë ende i bindur se duhet të largohet nga Teatri i Ëndrrave. Ish-lojtari i Real Madrid, tashmë i ka kthyer sytë nga merkatoja e janarit, aty ku shpreson të transferohet në një tjetër klub. Pse jo, diku ku të ketë mundësinë që të aktivizohet edhe në Champions League.

Për yllin portugez, nuk kanë munguar as ofertat e majme nga Arabia, por Ronaldo dëshiron të qëndrojë ende në Europë, sepse mendon, që pavarësisht se është 37 vjeç, ai ka ende shumë për t’i dhënë futbollit në nivele të larta.