Cristiano Ronaldo thyen heshtjen. Në një intervistë të dhënë së fundmi, portugezi ka folur hapur për të gjitha pakënaqësitë që e kanë shoqëruar atë tek Manchester United që prej ditës së rikthimit të tij. Në ligjëratë të drejtë, 5 herë fituesi I Topit të Artë ka thënë se ndihet I tradhtuar nga klubi.
“Ndihem I tradhtuar nga Manchester United. Disa njerëz nuk më donin këtu, jo vetëm këtë sezon, por edhe atë të mëparshmin”, janë fillimisht disa nga fjalët e 37 vjeçarit.
Më pas, Ronaldo ka folur edhe për raportinin që ka me trajnerin actual të skuadrës, Erik Ten Hag. “Nuk kam aspak respekt për Ten Hag, sepse ai nuk ka respekt për mua. Nëse nuk më respekton, atëherë edhe unë nuk do kem asnjë respekt për ty”.
5 herë fituesi I Champions League ka komentuar edhe trajnerin e mëparshëm, Ralf Rangnick. Sipas tij, United bëri një gabim të pafalshëm që emëroi në krye të pankinës një Drejtor Sportiv, dikë që nuk mund të konsiderohet as trajner.
Ronaldo ka vazhduar edhe më tej, duke thënë se Manchester United ka probleme të theksuara në brendësi të klubit, përfshirë këtu edhe ato të infrastrukturës. Sipas CR7, atje nuk ka ndryshuar asgjë që prej epokës së tij të mëparshme në “Old Trafford”. Sulmuesi ka shtuar, se që pas largimit të Sir Alex Ferguson, klubi ka mbetur në vend-numëro dhe nuk ka bërë asnjë hap përpara.
Me fjalë të tjera, epoka e dytë e Cristiano Ronaldos mund të konsiderohet e përfunduar, teksa kontrata e tij përfundon në fund të sezonit. Në këto kushte, portugezi mund të largohet nga “Old Trafford” në merkaton e janarit, duke qenë se pas këtyre deklaratave, për të nuk ka më vend në skuadër.
Në aventurën e tij të dytë në Teatrin e Ëndrrave, Ronaldo arriti të shënonte 27 gola në 54 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.