Cristiano Ronaldo shënon ‘poker’ dhe arrin 500 gola në kampionate

Sport

Mjafton 1 orë lojë që Cristiano Ronaldo të kompletojë dopietën, tripletën dhe ‘pokerin’ e parë me fanellën e Al-Nassr. Portugezi ishte ylli i sfidës së fituar nga skuadra e tij me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Al-Wehda, duke shënuar të gjitha golat e takimit dhe duke regjistruar një tjetër rekord në karrierën e tij. Me 4 golat e shënuar së fundmi, Ronaldo ka kaluar kuotën e 500 realizimeve në kampionatet e klubeve ku ka luajtur në gjithë karrierën e tij. Në 503 golat e shënuar në rang klubesh nëpër kampionate, Ronaldo llogarit 311 rrjeta të tundura me fanellën e Real Madrid, 103 me Manchester United, 81 me Juventusin, 3 me Sportingun e Lisbonës dhe së fundmi 5 golat me Al-Nassr. Me shiritin e kapitenit në krah, Ronaldo po udhëheq skuadrën e tij në vendin e parë të renditjes në kampionat, në kuotë të barabartë pikësh me Al-Shabab, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. Vetëm para pak ditësh, portugezi festoi 38-vjetorin e tij të lindjes dhe në sfidën ndaj Al-Wehda, i ka bërë vetes dhuratën më të bukur, teksa vijon të ndjekë të tjera rekorde.