Cristiano Ronaldo reagon publikisht për të ardhmen e tij

Sport

Pas shumë raportimeve të ndryshme nga mediat botërore mbi të ardhmen e Cristiano Ronaldos, se sulmuesi është refuzuar nga klubet më të mëdha të kontinentit, diçka e tillë nuk mund të konsiderohet si e vërtetë e padiskutueshme. Në këtë tymnajë, vetë futbollisti ka vendosur të reagojë, duke vënë pikat mbi “i”.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, 5 herë fituesi i Topit të Artë i ka quajtur të gjitha mashtrime shkrimet e mediave botërore. Në rreth 100 raportime të ndryshme, CR7 ka thënë se vetëm 5 prej tyre qëndrojnë, ndërsa të gjitha të tjerat janë thjesht shkrime për të mbushur rreshtat.

“Të vërtetën do e mësoi në javët e ardhshme, atëherë kur unë të jap një intervistë. Për momentin, media po mashtron. Nga koleksioni prej 100 lajmesh që kam në shtëpi, mund të them se vetëm 5 prej tyre janë të vërteta”, ka shkruar ylli portugez.

Pra, të ardhmen e tij, do e publikojë vetë CR7 në ditët në vijim. Ai ka edhe një vit kontratë me Manchester United, por nuk është e sigurt nëse do vazhdojë të luajë ende në “Old Trafford”. Situata në radhët e djajve të kuq është mëse e rënduar, duke qenë se në dy ndeshjet e para të kampionatit, tanimë numërojnë po kaq humbje.

Ky është një sinjal se United nuk mund të konkurojë dot për tituj këtë sezon. Përveç kësaj, problemi madhor i Ronaldos mbetet futbolli i Champions League, diçka që tek të kuqtë e Manchesterit këtë herë nuk e gjen dot.

Agjenti i tij, Jorge Mendes është duke studiuar në imtësi situatën për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për klientin e tij.