Cristiano Ronaldo pranë Al Nassr; ‘Marca’ zbulon detaje të ofertës së arabëve

Sport

Duke nisur nga viti i ardhshëm, Cristiano Ronaldo mund të luajë si lojtar i Al Nassr. Ky është lajmi kryesor për të përditëshmen e njohur spanjolle, ‘Marca’, që zbulon se burime të sigurta pranë portugezit, kanë konfirmuar bisedimet me drejtuesit e klubit nga Arabia Saudite. Gjithnjë sipas ‘Marca’-s, agjenti Mendes ka arritur një akord verbal sa i përket shifrave që mund të përfitojë sulmuesi, teksa ende nuk ka një përgjigje finale nga ana e 37-vjeçarit. Sa i përket detajeve, tek ‘Marca’ janë të sigurt që Ronaldo do të arrinte të paguhej si asnjë sportist tjetër në histori. CR7-ës i është premtuar një pagë prej 200 milionë eurosh në sezon, me një kontratë për 2 vite e gjysmë. Ky propozim i çmendur i arabëve duket shumë i vështirë për t’u refuzuar nga ana e Ronaldos, që mund t’i thotë njëherë e mirë ‘lamtumirë’ futbollit elitar europian. ‘Marca’ shton se edhe familja e portugezit e sheh si një ofertë të parefuzueshme këtë që ka ardhur nga Arabia Saudite, edhe pse do të preferonin më shumë një transferim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ronaldo prej kohësh sheh një interesim të madh të Inter Miami në ‘MLS’ për shërbimet e tij. David Beckham po përpiqet ta bindë portugezin për të bërë një lëvizje përtej Atlantikut, por nëse konfirmohet oferta me shifrat e çmendura nga Al Nassr, vështirë se Ronaldo do t’i thoshte ‘jo’ më shumë se 400 milionë eurove në vetëm 2 vite e gjysmë. 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ thuhet se do të zbulojë të ardhmen e tij vetëm pas përfundimit të botërorit në Katar, ku kërkon të shkruajë historinë me kombëtaren portugeze.