Cristiano Ronaldo nxit Juven: Atletico? Do t’ia dalim….

Sport

ron tiwtt
Dy golat e pësuar në takimin e parë në Madrid përballë Atleticos, ia kanë vështirësuar së tepërmi Juventusit vazhdimin e rrugëtimit në Ligën e Kampionëve, që mbetet objektivi primar i bardhezinjve për këtë sezon. Megjithatë, përderisa të martën janë për t’u luajtur edhe së paku 90 minuta të tjera në Torino, kampionët e Italisë besojnë ende tek kualifikimi. Plot bindje e ka përcjellë këtë ide edhe Cristiano Ronaldo, lojtari që bardhezinjtë e morën gjatë verës pikërisht si vlerë të shtuar, me synimin për të fituar trofeun e Champions League. Para duelit me spanjollët, portugezi ka kërkuar sidomos përkrahjen e tifozëve, që sipas tij duhet të jenë sa më të shumtë në numër në “Juventus Stadium”.

hqdefault

“Bëjeni stadiumin fantastik dhe ne do të bëjmë punën tonë, duke shënuar dhe fituar ndeshjen. Besojmë se do të përjetojmë një mbrëmje të madhe, përmes kualifikimit për në çerekfinale”, deklaroi portugezi, i cili i dërguar një mesazh të qartë tifozërisë bardhezi, por njëkohësisht ka nxitur edhe shokët e tij të skuadrës. Si një njohës i mirë i kundërshtarit të së martës në mbrëmje, përderisa është ndeshur disa herë në La Liga dhe në Champions, CR7 ka kujtuar se përballja me “Los Colchoneros” nuk do të jetë aspak e lehtë. “Atletico është një skuadër e organizuar mjaft mirë, që luan me kujdes mbrapa dhe të pret, për të goditur në kundërsulm. Duhet të bëjmë kujdes dhe të gjejmë kohën e duhur për t’i goditur neve të parët. Kam besim se do t’ia dalim që të përjetojmë një natë speciale”, theksoi portugezi, tek i cili Juventusi i ka varur shumë shpresat për ndeshjen ndoshta më vendimtare të këtij sezoni.